Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 56 (Sura 56)
1; Kur të ndodhë Ngjarja (Dita e Kijametit), –
2; të ndodhurit e saj askush nuk do ta mohojë,
3; e cila i ulë (të këqinjtë), i lartëson (të mirët),
4; kur Toka të dridhet fuqishëm,
5; dhe malet të derdhën copë-copë,
6; dhe shndërrohen në pluhur të shpërndarë,
7; kur ju njerëzit, do të ndaheni në tri grupe:
8; ata të lumturit – kush janë të lumturit?!
9; dhe ata fatkëqinjtë – kush janë fatkëqinjtë?!
10; Ata që kanë prirë (në besim), do të prijnë (edhe në xhennet),
11; ata janë të afërt
12; në kopshtet e xhennetit e të kënaqësisë,
13; (e këta janë) shumë prej të parëve,
14; e pak prej të mëvondshmëve, –
15; në divanet e stolisura (me gurë të çmueshëm),
16; të mbështetur në to dhe të kthyer njëri karshi tjetrit;
17; do t’u sillen rreth tyre (për t’ju shërbyer) djelmoshat përherë të rinj,
18; me kupa, ibrikë dhe shishe (pijesh) prej burimit rrjedhës,
19; prej të cilit nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja, –
20; dhe pemë të cilat do t’i zgjedhin vetë,
21; dhe mish të shpendëve çfarë ju ka ënda.
22; Në to (xhennete) ka edhe hyrie (të bukura) sy-mëdha,
23; të ngjashme margaritarit të ruajtur,
24; shpërblim për atë që kanë punuar.
25; Në ta nuk do të dëgjojnë biseda të kota as fjalë mëkatësh,
26; por vetëm fjalët (përshëndetjet): “Selam, selam!” (Paqë, paqë)!
27; E, ata të lumturit – kush janë të lumturit?!
28; Do të gjenden në mes lotusve (lloj druri) pa gjemba,
29; dhe babanave të mbushura me frute
30; dhe në freskinë e gjerë,
31; pranë ujit rrjedhës,
32; dhe mes pemëve të llojllojshme,
33; të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara (për t’i marrë),
34; dhe në shtrojet e ngritura (bashkëshorte virtytesh të larta).
35; Ne i kemi krijuar ato në formë të re,
36; dhe i kemi bërë ato virxhëresha,
37; të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta –
38; (këto janë) për ata të lumturit.
39; (këta – të mirët) janë shumë prej (popujve) të lashtëve
40; e shumë edhe prej të mëvonshmëve.
41; E, ata fatkëqinjtë – cilët janë fatkëqinjtë?!
42; Ata (që) do të jenë në frymën e zjarrit dhe të ujit të vëluar
43; dhe në hijen e tymit të zi,
44; në të cilën nuk do të ketë freski as kurrfarë të mire.
45; Ata, para kësaj (në këtë botë), kanë jetuar në luks,
46; dhe me këmbëngulje bënin mëkate të rënda,
47; dhe thonin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi tokë e eshtra, a, me të vërtetë, do të ringjallemi,
48; vallë, edhe të parët tonë të lashtë?!
49; Thuaju (o Muhammed!): “Me të vërtetë, edhe të parët edhe të mbramët, –
50; do të tubohen në një kohë (të caktuar), të ditës së njohur,
51; dhe, atëherë ju, o të humbur, që përgënjeshtroni ringjalljen,
52; me siguri do të hani nga druri i zekkumit,
53; dhe me te do të mbushni stomakun,
54; e pastaj në të, do të pini ujë të vëluar,
55; dhe do të pini ashtu siç pin devja e etshme,
56; kjo (që u përmend) do të jetë pozita e tyre në Ditën e Kijametit!
57; Ne, u krijuam juve – e, sikur të kishit besuar!
58; A po shihni ju farën (spermën) që e hedhni (injektoni)
59; a po e krijoni (dhe zhvilloni njeriun ju), apo Ne jemi krijues?
60; Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë,
61; që t’ju ndryshojmë figurën tuaj dhe t’ju krijojmë në figurën çfarë ju nuk e dini.
62; Ju, madje, e dini krijimin e parë, e pse nuk po këshilloheni?!
63; A shihni atë që po e mbillni?
64; A mos ju jepni, që prej saj të mbijë (bima), apo Ne japim që të mbijë ajo?
65; Nëse duam Ne, Ne do ta thërrmojmë atë (bimën) dhe ju do të çuditeni,
66; (dhe, do të thoni): “Ne, me të vërtetë, jemi të dëmtuar,
67; madje – na është penguar (furnizimi)!”
68; A po e shihni (atë) ujë që e pini –
69; a mos e lëshoni ju prej réve apo Ne e lëshojmë?!
70; Nëse duam Ne, Ne do ta bëjmë atë të njelmët – e përse nuk falenderoheni?!
71; A po e shihni atë zjarr, që e ndezni –
72; a mos e keni bërë ju drurin e saj, apo Ne e kemi bërë?!
73; Ne, e kemi bërë zjarrin përkujtues (të zjarrit të skëterrës) dhe që t’u sjellë dobi nevojtarëve,
74; andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërueshëm!
75; Dhe, betohu në çastin e perëndimit të yjeve,
76; e ky është, betim i madh, nëse e dini, –
77; ky (shpjeguesi i këtyre), është, me të vërtetë, Kur’ani i nderuar,
78; në Librin e ruajtur –
79; le ta prekin atë vetëm të pastërtit –
80; (ai është) Shpallje prej Zotit të Gjithësisë.
81; E, vallë, ju këtë fjalë (Kur’anin) nuk e përfillni?
82; dhe, në vend të mirënjohjes për furnizimin e dhuruar, që u është dhënë – ju, në të vërtetë, po e përgënjeshtroni atë.
83; E, përse kur t’ju vie shpirti në fyt,
84; dhe kur ju atëherë e shikoni atë,
85; e ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk shihni, –
86; e sikur të ishit ju të fuqishëm (e nuk sundon tjetërkush)
87; atëherë do t’ia kthenit (shpirtin atij), nëse thoni të vërtetën?
88; Dhe, nëse është (ai që është në agoni) nga ata që janë afër te Perëndia –
89; (për te ka) komoditet, mëshirë dhe furnizim të madh dhe kopshtet e dhuntive!
90; E, nëse është (ai që është në agoni) nga të lumturit –
91; e, përshëndetje për ty nga ata që janë të lumtur!
92; E, nëse është (ai që është në agoni) nga ata që kanë përgënjeshtruar – të humburve –
93; ata do të gostiten me ujë të vëluar –
94; dhe përcëllim në zjarr të xhehennemit.
95; Në të vërtetë, e gjithë kjo, është e vërtetë e saktë.
96; Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërueshëm!

Pages ( 56 of 114 ): « Previous1 ... 5455 56 5758 ... 114Next »