Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 51 (Sura 51)
1; Pasha ato erëra që çojnë (pluhurin),
2; dhe të cilat bartin ngarkesat,
3; dhe ato (erëra) që lundrojnë lehtë,
4; dhe pasha engjëjt që shpërndajnë urdhërat, –
5; me të vërtetë, është e sigurt ajo që ju premtohet,
6; dhe çdo shpërblim (i premtuar) do të ndodhë!
7; Pasha qiellin e stolisur me yje,
8; ju jeni të larmishëm në fjalë,
9; prej tij (Pejgamberit ose Kur’anit) është shmangur ai që ka qenë i shmangur (edhe më parë).
10; U mallkofshin gënjeshtarët!
11; Ata që janë thelluar në injorancë (dhe harrojnë ringjalljen).
12; Ata pyesin: “Kur do të jetë Dita e shpërblimit?”
13; (Do të jetë) atë Ditë kur ata do të përcëllohen në zjarr!
14; (U thuhet atyre): “Shijoni dënimin tuaj! Ky (dënim) është ai që e nxitojshit!”
15; Ata që i druajnë Perëndisë, me të vërtetë, do të jenë në kopshte dhe burime,
16; duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë ata, me të vërtetë, më parë kanë qenë bamirës,
17; ata, kanë fjetur pak natën (duke iu lutur Perëndisë)
18; po dhe në agim kërkonin falje,
19; e, në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësit dhe nevojtarët.
20; Në Tokë ka argumente (të shumta) për ata që besojnë qëndrueshëm,
21; po edhe në ju – a nuk shihni vallë?
22; E në qiell është furnizimi dhe premtimi juaj.
23; Dhe, Pasha Zotin e qiellit dhe të Tokës, kjo është vërtetë e saktë, ashtu si është e vërtetë (aftësia e) të folurit tuaj.
24; A të ka arritur ty lajmi për mysafirët e ndershëm të Ibrahimit?
25; Kur ata hynë tek ai, e i thanë: “Selam (Paqë! – shpëtimi u qoftë!)” dhe ai u tha: “Selam (Paqë! Qofshi të shpëtuar!)” Ju jeni – (tha në vetvete) popull i panjohur!”
26; Dhe, pa u hetuar, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli viç të majmë (të pjekur),
27; e ua afroi atyre, e u tha: “A s’po hani?”
28; Dhe, ndjeu frikë prej tyre, (e) ata i thanë: “Mos u friko!” dhe e sihariquan atë (se do t’i lindë) një djalë i dijshëm.
29; Dhe, u duk gruaja e tij, duke thërritur dhe duke e rrahur fytyrën, e tha: “Vallë, unë plaka, sterile (a mund) të lind?!
30; Ata thanë: “Kështu ka thënë Zoti yt. Ai, me të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Plotëdijshëm”.
31; (Ibrahimi u tha atyre): “Çfarë është obligimi juaj, o pejgamberë?”
32; Ata thanë: “Na jemi dërguar te një popull mëkatar,
33; për të hudhur gurë mbi ta prej (baltës) së forcuar,
34; të shënuar te Zoti yt për ata që e kalojnë kufirin (në të këqia)
35; Dhe, Ne i nxorëm ata besimtarë që ishin aty (në atë vendbanim) –
36; e në të kemi gjetur vetëm një shtëpi muslimane –
37; dhe, në të – kemi lënë argument (shenjë) për ata që i druajnë dënimit të dhembshëm.
38; Dhe, ne kemi sjellë këshillë edhe te Musai kur ia dërguam atë – Faraonit, me argument të qartë,
39; e u shmang (Faraoni), duke u mbështetur në pushtetin e vet, dhe tha: “(Ai është) magjistar ose i çmendur!”
40; Dhe, ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe e hodhëm në det; ai është i qortuar (mëkatar).
41; (Dhe, Ne, kemi dhënë këshillë mbi ngjarjen) e Adit, kur e dërguam frymën shkatërruese mbi ta,
42; e cila nuk kurseu asgjë ngado që kaloi, e që të mos e ketë bërë si kalbësirë.
43; Edhe për Themudin, kur iu tha atyre: “Kënaquni një kohë!”
44; E, u madhështuan ndaj urdhërave të Perëndisë, e pastaj i goditi rrufeja (zëri i tmerrshëm), e ata e shikonin atë (dënimin),
45; dhe nuk mundën as të ngritën, as të mbrohen prej dënimit.
46; Edhe për popullin e Nuhut, që më parë (i kemi shkatërruar). Me të vërtetë, ata kanë qenë popull mëkatar!
47; Ne, e kemi ndërtuar qiellin me pushtetin Tonë, e Ne, me të vërtetë, jemi të pushtetshëm edhe më tepër,
48; dhe Tokën e kemi shtruar – sa i mrekullueshëm është Ai që e ka shtruar! –
49; dhe, prej çdo gjëje kemi krijuar çifte, që të meditoni ju!
50; Andaj, mbështetuni te Perëndia, se unë, me të vërtetë, jam dërguar te ju – prej Tij, paralajmërues i qartë;
51; Dhe, mos i përshkruani Perëndisë zot tjetër, se unë, me të vërtetë, jam dërguar te ju – prej Tij, paralajmërues i qartë!”
52; Po ashtu, nuk ka ardhur as para tyre asnjë pejgamber, e që të mos thonin (për te): “Është magjistar”, apo: “Është i çmendur!”
53; Vallë, a mos ia kanë rekomanduar këtë njëri-tjetrit? Jo, por ata janë popull rebel,
54; e, shmangu prej tyre; ti nuk do të qortohesh për këtë,
55; dhe (vazhdoje) këshillimin, se, me të vërtetë, këshilla u bën dobi besimtarëve.
56; Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë,
57; Unë nuk kërkoj prej tyre furnizim, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë,
58; furnizimin e jep vetëm Perëndia, i Fuqishmi, i Paluhatshmi!
59; Me të vërtetë, për ata që kanë bërë zullum, kanë pjesë (të dënimit), të ngjashëm pjesës së shokëve të tyre që kanë qenë si ata, e le të mos e nxitojnë atë (dënimin),
60; sepse, mjerë për mohuesit prej Ditës që u është premtuar!

Pages ( 51 of 114 ): « Previous1 ... 4950 51 5253 ... 114Next »