Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 20 (Sura 20)
1; Tá, Hâ.
2; Na, nuk ta kemi shpallur ty Kur’anin për të munduar,
3; por, që të jetë këshillë për atë që druan,
4; ai është i shpallur – nga Krijuesi i Tokës dhe i qiejve të lartë,
5; Bamirësi i Gjithmbarshëm (Perëndia), që sundon Arshin, (si i takon Madhërisë së Tij).
6; Atij i përket ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe ç’ka në mes tyre dhe gjithçka gjendet në tokë!
7; E, nëse ti flet me zë (të lartë), Ai, me të vërtetë, di fshehtësinë dhe atë që ti vetëm mendon!
8; Perëndia është (Një), s’ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka emrat më të bukur”.
9; Dhe, a të ka arritur ty lajmi për Musain,
10; kur e pa zjarrin ai i tha familjes së vet: “Rrini ju këtu! Unë, me të vërtetë, e kam parë një zjarr; shpresoj se unë do t’ju sjell juve një gacë, ose që pranë tij do të gjej ndonjë udhërrëfyes”.
11; E kur arriti ai te zjarri, u thirr: “O Musa,
12; Unë, me të vërtetë, jam Zoti yt! Andaj, zbathi këpucët tuaja, se ti, me të vërtetë, gjendesh në luginën e shenjtë – të Tuvasë.
13; Dhe, Unë ty të kam zgjedhur; andaj dëgjo ti atë që të shpallet (ty)!
14; Me të vërtetë, Unë jam Perëndia; s’ka zot tjetër përveç meje; andaj, vetëm Mua adhuromë dhe kryej namazin, për të më kujtuar Mua!
15; Çasti i gjykimit do të arrijë me siguri – atë e kam fsheh (nga çdokush) – kur secili do të shpërblehet për atë (përpjekje) që ka bërë.
16; Le të mos shmangë ty nga ai (çast), ai që nuk beson në të (Kijametin) dhe që jepet pas epsheve të tija, e të humbasësh.
17; E, ç’ke ti në dorën e djathtë, Musa?
18; (Musai)u përgjegj: “Ky është shkopi im, në të cilin mbahem dhe me të u shkundi gjethe dhenëve të mia, e me të kam edhe dobi të tjera.
19; (Perëndia) i tha: “Hudhe atë Musa!”
20; Ai e hudhi atë por ai (shkopi, u bë) gjarpër që zvarritej.
21; (Perëndia) i tha: “Merre atë (gjarpërin) dhe mos u frikëso! Na do ta kthejmë atë në gjendjen e mëparshme.
22; Dhe, fut dorën tënde nën sqetullën tënde, ajo do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje, dhe ja kjo – është mrekulli tjetër,
23; për t’i treguar ty disa nga mrekullitë Tona të mëdha!
24; Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur, nga të këqiat!”
25; (Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma krahërorin tim,
26; dhe lehtësoma punën time,
27; dhe zgjidhma lidhjen prej gjuhës sime,
28; që të kuptojnë ata fjalën time,
29; dhe bëne për mua një ndihmës nga familja ime
30; Harunin, vëllain tim,
31; e forcoje me të – fuqinë time,
32; dhe shoqëro atë në punën time,
33; për me të falënderuar Ty shumë,
34; dhe për të përmendur Ty vazhdimisht!
35; Me të vërtetë, Ti je mbikëqyrësi ynë”.
36; (Perëndia) tha: “Të është dhënë ty ajo që kërkove, o Musa!”
37; Dhe Ne, me të vërtetë, të kemi bërë mirë ty edhe tjetër herë (para kësaj),
38; kur nënën tënde e frymëzuam me atë, që mund të arrihet vetëm me frymëzim:
39; “Vendose atë (Musain) në sandëk e hudhe në lum (Nil), lumi e qet atë në breg, e që atë, do ta marr armiku i Im dhe armiku i tij”. Dhe, Unë kam hudhur në ty – dashurinë Time (për me të dashtë ty gjithkush), dhe që të rritesh nën mbikëqyrjen Time.
40; Kur shkoi motra jote (në pallatin e Faraonit) e tha: “A doni t’ju tregoj unë juve atë që do të kujdeset për të?” Na, të kthyem ty te nëna jote që të gëzohet ajo dhe të mos pikëllohet më. Dhe ti e mbyte një njeri (pa qëllim), e Ne të shpëtuam ty nga brenga (e dënimit) dhe Ne të sprovuam ty me sprova të shumta. Dhe ti qëndrove me vite të tëra në mesin e banorëve të Medjenit, e pastaj, ti, erdhe, sipas dispozitës së caktuar, o Musa!
41; Dhe, Unë të kam zgjedhur ty për Vete.
42; Shko ti dhe vëllai yt me argumentet e Mia dhe mos u shkrehni në të kujtuarit Mua!
43; Shkoni (ju të dy) te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur nga të këqijat,
44; e flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet”.
45; Ata thanë: “O Zoti ynë, na, me të vërtetë, druajmë se do të na dënojë menjëherë ai, ose do të azdiset më tepër”.
46; (Perëndia) tha: “Mos u frikësoni! Unë me të vërtetë, jam me ju, dëgjoj dhe shoh”.
47; Shkoni tek ai dhe i thoni: “Na dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji bijtë e Israelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo ata! Na, të kemi sjellë ty argument nga Zoti yt. Qoftë i shpëtuar ai që ndjek rrugën e drejtë!
48; Me të vërtetë, neve na është shpallur, se dënimi do ta godasë atë që e konsideron për gënjeshtër (shpalljen) dhe shmanget”.
49; (Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”
50; (Musai) tha: “Zoti ynë është ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet e pastaj i ka udhëzuar (në përdorimin e tyre).
51; (Faraoni) tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”
52; (Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!
53; (Perëndia), i cili për ju Tokën e ka bërë shtrat, u ka lehtësuar juve rrugët nëpër të, u ka lëshuar ujë (shi) nga qielli e që Ne – me të, kemi nxjerrë shumë lloj bimësh të ndryshme.
54; Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë argumente për ata që janë mentarë.
55; Na ju kemi krijuar juve prej saj (tokës), dhe në të do t’ju kthejmë, dhe nga ajo do t’ju nxjerrim juve herën tjetër.
56; Na, me të vërtetë, ia kemi treguar atij (Faraonit) të gjitha argumentet Tona, e ai i ka konsideruar gënjeshtra dhe ka refuzuar besimin.
57; (Faraoni) tha: “A mos ti, o Musa, ke ardhur të na nxjerrësh nga toka jonë – me magjitë tuaja?”
58; Dhe ne, do të sjellim ty një magji të ngjashme, e cakto në mes meje e teje takim, të cilit do t’i përmbahemi edhe na edhe ti, në vend të barabartë.
59; (Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia lë të tubohen para mesditës”.
60; Faraoni u largua, i tuboi ngatërresat e veta, e pastaj erdhi.
61; Musai u tha atyre: “Mjerë për ju! Mos trilloni gënjeshtra për Perëndinë, e që Ai, t’ju shkatërrojë me dënim. Do të falimentojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!”
62; Ata (magjistarët), polemizuan – për punën e tyre – në mes vete, duke pëshpëritur dhe tinëzisht u morën vesh.
63; Ata thanë: “Me të vërtetë, këta janë dy magjistarë; duan t’ju shporrin juve nga toka e juaj – me magjitë e tyre, dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë,
64; andaj, mblidhni dredhitë tuaja e pastaj – ejani të radhitur. Do të shpëtoj sot – ai që fiton!”
65; Ata thanë: “O Musa, ose gjuaj ti, ose të bëhemi ne hedhësit e parë?”
66; (Musai) tha: “Jo, hedhni ju!” E, atë – herë, (pasi që i hedhën ata) litarët dhe shkopinjtë e tyre, – prej magjive të tyre – iu dukën atij, se me të vërtetë, po rrëshqasin,
67; andaj Musai – ndjeu në vete frikë,
68; Ne i thamë: “Mos u frikëso, se me të vërtetë, ti je fitues!
69; Dhe hudhe atë që e ke në dorën e djathtë! Do t’i gëlltisë ato që i kanë punuar ata. Atë që kanë punuar ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve. E, magjistari, nuk do të ketë sukses, kudo që të gjendet.
70; E, magjistarët (pastaj), ranë në sexhde dhe thanë: “Na besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”.
71; (Faraoni) tha: “Ju e besuat Atë, para se t’u japë leje unë juve! Ai (Musai), me të vërtetë, është eprori juaj, që u ka mësuar juve magjitë. Dhe, me të vërtetë, unë do t’ju këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi, dhe unë do t’ju varr juve në trungjet e hurmeve. Ju, do ta dini, me siguri, – se dënimi i kujt prej nesh – është më i ashpër dhe më i vazhdueshëm”.
72; (Magjistarët) u përgjegjën: “Na, ty kurrë nuk do të japim përparësi ndaj argumenteve që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar neve, e gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!
73; Na besojmë Zotin tonë, që të na falë gabimet tona dhe magjitë, në të cilat na ke detyruar ti (Faraon). E, Perëndia është më i miri dhe më i vazhdueshmi (në shpërblime dhe dënime).
74; Me të vërtetë, ai që para Zotit të vet del si kriminel, atë, me të vërtetë, e pret skëterra; në të – ai, as nuk vdes as nuk jeton.
75; E, kush vie tek Ai, si besimtarë, e që madje, ka punuar vepra të mira, vetëm ata kanë pozita të larta,
76; kopshtet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenjtë, e, në të cilët, ata do të qëndrojnë përherë. Ky është shpërblimi për atë që është i spastruar nga mohimi.
77; Na, i kemi shpallur Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe bënju atyre një rrugë të tharë nëpër det; nuk do të frikësohesh ti, se do të të arrijë ai (Faraoni), as nuk do të frikësohesh (nga fundosja)”.
78; E, Faraoni – me ushtrinë e tij, i ndoqi ata, e deti i mbuloi ata – me një mbulesë të madhe;
79; Faraoni i solli humbje popullit të vet, e nuk e udhëzoi në rrugë të drejtë.
80; O bijtë e Israelit, Na ju kemi shpëtuar juve nga armiku juaj, u kemi premtuar juve (shumë dhunti) në anën e djathtë të Turit, dhe u kemi dhënë menn – (një lloj ushqimi i ëmbël) dhe fëllanza.
81; Hani nga ushqimet e këndshme, me të cilat u kemi furnizuar ne juve, mos u bëni të azdisur në to, e t’ju arrijë zemrimi (dënimi) Im. Atë që e arrinë zemrimi Im, (ai) është i humbur!
82; Me të vërtetë, Unë jam falës për atë që pendohet dhe beson e punon vepra të mira, e qëndron në rrugë të drejtë.
83; E, përse nxitove para popullit tënd, Musa?
84; (Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia, e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.
85; (Perëndia) tha: “Na e kemi vënë në sprovë popullin tënd – pas teje, e i humbi ata Samirija”
86; U kthye Musai te populli i vet, i zemruar dhe i pikëlluar. Tha: “O populli im, vallë, a nuk ju premtoi Zoti juaj premtim të mirë? A mos ju zgjat tepër koha (prej se jam ndarë nga ju), ose dëshironi ju, që t’ju godasë zemrimi i Zotit tuaj, e për këtë, nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë mua!”
87; Ata u përgjegjën: “Na nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë ty me vullnetin tonë, por ne qemë të ngarkuar me peshë të rëndë – me stoli të popullit, andaj i hodhëm ato (në zjarr)”. Po kështu, i hodhi edhe Samirija,
88; dhe nga këto (stoli të hedhura në zjarr), ai (Samirija) nxori për popull trup viçi që pëlliste, dhe ata, atëherë, thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait, ai e ka harruar atë (e ka shkuar ta kërkojë në Tur)!”
89; Vallë, a nuk shohin ata, se (viçi) nuk u drejtohet atyre me asnjë fjalë dhe, nuk është në gjendje t’u sjellë atyre kurrfarë dëmi e as kurrfarë dobie.
90; E, atyre – Haruni u ka thënë qysh më parë: “O populli im! Ju, me këtë, vetëm jeni sjellë në sprovë, e Zoti juaj është Mëshirues, andaj pasomëni mu dhe dëgjoni urdhërin tim!”
91; Ata u përgjegjën: “Na do t’i lutemi atij (viçit) vazhdimisht, derisa të mos na kthehet Musai”.
92; (Musai) tha: “O Harun, a të ka penguar ty, – kur i ke parë ata se kanë humbur –
93; përse të mos shkosh pas meje? A mos qe ti i padëgjueshëm ndaj urdhërit tim?”
94; (Haruni) tha: “O biri nënës sime, mos më kap mua për mjekrën time as për kokën time, unë jam frikësuar që ti do të thuash: “Ke bërë përçarje në mesin e bijve të Israelit e nuk i ke mbajtur fjalët e mia”.
95; (Musai) tha: “E ç’është puna jote, o Samiri?”
96; (Samirija) u përgjegj: “Unë kam parë atë që nuk e kanë parë ata, – e kam marrë një grusht dhe në gjurmët e (kalit të) Pejgamberit, e atë – e kam hedhur (në stolinë e shkrirë), dhe kështu, ajo, më është zbukuruar mua (e keqja ime)”.
97; (Musai) tha: “E, atëherë shko! – tërë jetën do të flasësh: “S’ka prekje (le të mos më prekë askush) dhe ty të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shiko në zotin tënd, të cilin ti e ke adhuruar vazhdimisht. Na, do ta djegim atë, e pastaj do ta hedhim atë në det – si pluhur.
98; Zoti juaj është vetëm Perëndia; që s’ka zot tjetër përveç Tij; që dijenia e Tij i përfshinë të gjitha gjërat!”
99; Kështu pra, Na ty (o Muhammed) t’i tregojmë disa lajme (për atë) që kanë kaluar, dhe ta kemi, dhënë ty Kur’anin – prej anës Sonë.
100; Kush shmaget nga ai (Kur’ani), ai në Ditën e Kijametit, do të bartë ngarkesë të rëndë (dënim),
101; përherë do të mbetet (duke bartur atë). Sa barë e shëmtuar që është ajo në Ditën e Kijametit,
102; në Ditën kur do të fryhet në Sur. Atë ditë do t’i tubojmë mëkatarët duke qenë syzgurdulluar,
103; dhe njëri-tjetrit do t’i pëshpërisin (duke thënë): “Ju keni qëndruar (në të kaluarën) vetëm dhjetë ditë”.
104; Na dimë më së miri se çka do të thonë ata (në Ditën e Kijametit), kur më i mençuri nga ata, thotë: “Ju keni qëndruar vetëm një ditë”.
105; Dhe, të pyesin ty (o Muhammed) për malet (çka do të bëhet me to në Ditën e Kijametit). Thuaj: “Do t’i copëtoj krejtësisht Zoti im,
106; e toka do të bëhet fushë e rrafshët,
107; nuk do të shohësh në të (tokë) as lugina as brigje”.
108; Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit, duke mos pasur shmangie në të, e zërat do t’i përulen Mëshiruesit të Gjithmbarshëm, e ti nuk do të dëgjosh tjetër, pos pëshpëritjes.
109; Atë ditë, nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje Mëshiruesi dhe që është i kënaqur me fjalët e tij.
110; Ai di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre; e ata, nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Perëndisë – me dijeninë e tyre.
111; Fytyrat (e njerëzve) do t’i përulen (Perëndisë) të Gjallit, të Amshueshmit (Mbikëqyrësit të Gjithësisë). Do të humbë ai që ka ngarkuar të keqen (që i ka bërë shok Perëndisë),
112; e ai që punon vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia (shtimi i dënimit), as nga të manguarit (e shpërblimit).
113; Dhe kështu Ne, e kemi zbritur Kur’anin në gjuhën arabe, dhe në të kemi përsëritur vërejtjet, që ata të ruhen nga mëkatet, ose që t’i orientojë ata në këshillim.
114; I Lartë është Perëndia – Sundues – i Vërtetë! Dhe, mos nxito në të lexuarit e Kur’anit (o Muhammed!) para se të përfundojë (shpallja e tij), dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë mua!”
115; Na, madje – edhe Ademit i kemi shpallur më parë (në xhennet), e ai harroi, por nuk kemi gjetur tek ai vendim (për gabim të qëllimuar).
116; (Kujtoje o Muhammed!) kur u thamë engjëjve: “Bëni sexhde Ademit; e i bënë sexhde të gjithë, përpos Iblisit; ai refuzoi (atë).
117; E, Ne, kemi thënë: “O Adem, me të vërtetë, ky është armik yti dhe i gruas sate, e le të mos u nxjerr juve kurrsesi nga xhenneti, e që të vuash pastaj.
118; Me të vërtetë, në të nuk do të mbetësh i uritur as i zhveshur, të jesh i ushqyer dhe i veshur
119; as nuk do të kesh etje, as vapë.
120; Por, djalli filloi ta namatis (magjeps) atë e i tha: “O Adem, a don të ta tregoj drurin e pavdekshëm dhe pasurinë që nuk zhduket?”
121; Dhe, ata të dy hëngrën nga ajo (pema për t’u bërë të pavekshëm dhe që të arrijnë pasurinë e përhershme), e filluan t’u zbulohen vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e xhennetit. Dhe, Ademi nuk e zbatoi urdhërin e Zotit të vet, ndaj edhe humbi.
122; Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi atë.
123; (Perëndia) tha: “Zbritni prej xhennetit të gjithë! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Me të vërtetë, do t’ju arrijë juve udhëzim nga ana Ime, e kush pason udhëzimin Tim, nuk do të humbë (në këtë botë), as që do të jetë fatkeq (në botën tjetër).
124; E, ai që shmanget nga Libri Im, ai do të ketë jetë të vështirë dhe, Na në Ditën e Kijametit do ta ringjallim të verbër atë.
125; Ai do të thtotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë, me të vërtetë, kam pasur të pamurit më parë?”
126; (Perëndia) i tha: “Kështu (ke bërë); të kanë ardhur argumentet Tona, e ti i ke harruar ato. Kështu edhe ti sot do të jesh i harruar.
127; Kështu Na e ndëshkojmë atë që jepet pas mëkateve dhe nuk beson në argumentet e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i dhembshëm dhe i pandërprerë.
128; A nuk i udhëzoi ata në rrugë të drejtë (argumenti Ynë) – që sa e sa gjenerata i kemi zhdukur Ne para tyre, të cilët ecin nëpër vendet e tyre. Me të vërtetë, në këtë, ka argumente për njerëzit mentarë.
129; Sikur të mos ishte fjala e caktuar më parë – nga Zoti yt (o Muhammed) dënimi i tyre do të ishte i pashmangshëm dhe afati (i dënimit) do të ishte i caktuar (në këtë botë).
130; Bëhu i durueshëm për atë që flasin ata, dhe lavdëroje me falenderim Zotin tënd para lindjes së diellit, dhe para perëndimit të tij, dhe lavdëroje (Perëndinë) në orët e natës dhe në kohërat e ditës, për të qenë ti i kënaqur.
131; Mos lakmo në begatitë e llojllojshme që ua kemi dhuruar Na atyre (mohuesve), duke qenë ato stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë në sprovë ata, e furnizimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i amdhueshëm.
132; Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bënu këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet.
133; Mohuesit thonë: “Përse të mos na sjellë ai ndojë argument të qartë që gjendej në librat e mëparshëm?”
134; Sikur Na t’i shkatërronim ata para tij (para shpalljes së Kur’anit) ata, me siguri do të thonin: “O Zoti ynë! Sikur të na kishe dërguar pejgamber, e të shkojmë pas argumenteve Tuaja (të Perëndisë), para se të poshtërohemi dhe turpërohemi!”
135; Thuaju (o Muhammed): Të gjithë presin, andaj pritni edhe ju, e do të kuptoni ju kush janë ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush është i udhëzuar”.

Pages ( 20 of 114 ): « Previous1 ... 1819 20 2122 ... 114Next »