Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 49 (Sura 49)
1; O ju që keni besuar! Mos nxitoi para urdhërit (dispozitës) së Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij dhe druani Perëndisë! Perëndia, me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
2; O ju që keni besuar! Mos ngritni zërin tuaj mbi zërin e Pejgamberit dhe mos bisedoni me të me zë të lartë, ashtu si flitni zëshëm njëri me tjetrin, në mëhyrë që mos t’u humbin veprat tuaja – e që ju të mos i hetoni.
3; Me të vërtetë, ata që ulin zërin para (në prezencën e) Pejgamberit të Perëndisë – e ata janë (ata), zemrat e të cilëve Perëndia i ka kalitur për besim. Për ta ka falje dhe shpërblim të madh.
4; Me të vërtetë, ata që të thërrasin ty pas (mureve) të dhomave (tuaja), shumica e tyre nuk mendojnë.
5; E sikur të durojnë ata deri sa t’ju dalish ti atyre, do të ishte më mirë për ta; e Perëndia ësht falës dhe mëshirues.
6; O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, analizoni mirë, për të mos i bërë dëm ndokujt nga mosdijenia, e të pendoheni pastaj për atë që keni punuar.
7; Dhe, dijeni se në mes jush gjendet Pejgamberi i Perëndisë; sikur ai t’ju dëgjonte juve në shumë gjëra, ju do të kishit pësuar; por Perëndia disave prej jush ua ka bërë të këndshëm besimin dhe ua ka zbukuruar atë në zemrat tuaja, e ua ka urryer juve mohimin, ngatërresat dhe mëkatet. Të tillët janë në rrugën e drejtë,
8; me mirësinë dhe dhuntinë e Perëndisë. – E, Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
9; Nëse dy grupe muslimanësh luftojnë në mes vete, pajtoni ata, e nëse njëra prej tyre sulmon atë tjetrën, atëherë luftoni kundër sulmuesit, përderisa të mos kthehet në dispozitat e Perëndisë. E, nëse kthehet, atëherë pajtoni ata mes tyre, me të drejtë dhe bëhuni të drejtë. Perëndia, me të vërtetë, i do të drejtët.
10; Me të vërtetë, muslimanët janë vëllezër, andaj pajtoni vëllezërit tuaj në mes vete dhe druajuni Perëndisë, për t’u mëshiruar ju.
11; O ju që keni besuar! Le të mos e përqeshin një popull atë tjetrin. Ndoshta ata të përqeshurit janë më të mirë se ata, e as gratë mos të përqeshin të tjerat. Ndoshta ato (të përqeshurat) janë më të mira se ato, dhe mos e nënçmoni njëri-tjetrin dhe mos e thirrni njëri-tjetrin me llagape (të këqia)! I shëmtuar është emri i keq pas besimit! E, ata që nuk pendohen, ata, me të vërtetë, janë zullumqarë.
12; O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve, meqë disa dyshime janë mëkat. Mos i hulumtoni të metat (e njëri-tjetrit) dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur, e juve kjo u është e neveritshme! Druajuni Perëndisë! Me të vërtetë, Perëndia është pranues i pendimit dhe mëshirues.
13; O njerëz! Ne, me të vërtetë, u krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre dhe u bëmë juve popuj dhe fise, për t’u njohur (në mes vete). Më i lavdërueshëm te Perëndia është ai që i druan më së shumti Atij. Me të vërtetë, Perëndia është i Plotëdijshëm dhe asgjë nuk i është e fshehtë Atij.
14; Beduinët (arabët e shkretëtirës) thanë: “Na besojmë”. Thuaju (atyre): “Nuk keni besuar!” Por, thoni: “Na jemi përulur!” meqë në zemrat tuaja ende nuk ka hyrë feja si duhet. E, nëse i përuleni Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij, nuk do t’ju pakësohet juve asgjë prej veprave tuaja. Me të vërtetë, Perëndia është falës dhe mëshirues.
15; Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij, dhe pastja nuk dyshojnë dhe luftojnë në rrugën e Perëndisë me pasurinë dhe jetën e tyre. Këta janë besimtarë të sinqertë.
16; Thuaju (atyre): “Vallë, a ju ta lajmëroni Perëndinë për besimin tuaj, e Perëndia i di të gjitha çka ka në qiej dhe në Tokë! Perëndia është i dijshëm për çdo gjë.
17; Ata të përkujtojnë ty, (mirësitë), ngase kanë pranuar islamizmin. Thuaju (atyre): “Mos më përkutjoni ju për atë që keni pranuar islamizmin; përkundrazi, Perëndia ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka orientuar në besim, nëse flisni të vërtetën!
18; Perëndia, me të vërtetë; i di fshehtësitë e qiejve dhe Tokës. Perëndia i sheh të gjitha ato që punoni ju.

Pages ( 49 of 114 ): « Previous1 ... 4748 49 5051 ... 114Next »