Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 21 (Sura 21)
1; Ju ka afruar njerëzve llogarie e tyre (e veprave të tyre), e ata, janë të pakujdesshëm e janë shmangur.
2; Atyre nuk u erdhi nga Zoti i tyre kurrfarë paralajmërimi i ri, e që ata të mos e përgjojnë atë, duke u tallur me të,
3; e zemrat e tyre janë të hutuara. E, ata që kanë bërë zullum, tinzisht flasin: “A mos ky është diçka tjetër, përpos njeri si ju? Vallë a do të shkoni ju pas magjive, e ju, po i shikoni me sytë tuaj (ata)?”
4; (Pejgamberi) tha: “Zoti im di se ç’flitet – qoftë në qiell, qoftë në Tokë, Ai, të gjitha i dëgjon dhe i di.
5; Ata, madje thonë: “Këto janë vetëm ëndërra të turbullta, jo, ai e ka trilluar atë (Kur’anin); jo, ai është poet. Le të na sjellë ai neve një argument, ashtu si i kanë sjellë pejgamberët e parë!”
6; Nuk ka besuar asnjë vendbanim para tyre, të cilët Ne i kemi shkatërruar (duke kërkuar si këta argumente), e vallë, dot ë besojnë këta?
7; Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve u kemi shpallur (ashtu si ty); andaj, pyetni njerëzit e dijshëm, nëse nuk dini ju!
8; Dhe Ne, nuk i kemi bërë ata (pejgamberët) trupa që nuk hanë gjellëra, as ata nuk kanë qenë të pavdekshëm.
9; Pastaj, ua kemi realizuar atyre premtimin, e i kemi shpëtuar ata (pejgamberët) dhe ata që kemi dashur Ne; ndërsa i kemi shkatërruar ata që kanë bërë kundërvajtje.
10; Na, ua kemi shpallur juve Librin, i cili është këshillë e lavdi për ju. Vallë, a nuk po kuptoni ju?
11; Sa e sa vendbanime i kemi shkatërruar, banorët e të cilëve kanë qenë mohues; e pas tyre kemi krijuar tjetër popull!
12; Kur e shijonin fuqinë (dënimin) Tonë, ata iknin nga ato (vendbanimet) me të shpejtë.
13; Mos ikni! Kthehuni atje, në lukset tuaja dhe në pallatet tuaja, se ju do të pyeteni”.
14; Ata do të thonë: “Kuku për ne, me të vërtetë, kemi qenë zullumqarë!
15; Këto rrënkime të tyre nuk pushuan, deri sa Ne nuk i bëmë ata si drith i korrur – i shuar.
16; Na nuk kemi krijuar qiellin dhe Tokën, e ç’gjendet në mes tyre, për argëtim (Tonë).
17; Sikur Na, të donim ta merrnim atë për argëtim, Na do ta merrnim atë prej anës Sonë (ashtu si i përket madhërisë Sonë), por, Ne nuk e bëjmë këtë,
18; por Ne, me të vërtetë gjuajmë të keqen, e ajo (e vërteta) e shkatërron atë (gënjeshtrën) dhe kështu ajo zhduket. Dhe, kuku për ju, për atë që i mvishni (Perëndisë).
19; Dhe Atij i përket gjithçka gjendet në qiej dhe në Tokë, e ata që janë tek ai (engjëjt), nuk ngurrojnë për të adhuruar Atë, duke mos ndier lodhje,
20; e lavdërojnë (Atë) natën dhe ditën, palodhmërisht.
21; Vallë, a mos idhutj (zotërat) që i bëjnë ata prej dheut, do të jenë në gjendje t’i ngjallin të vdekurit?
22; Sikur të kishte në to (qiej dhe Tokë) zotëra, përveç Perëndisë, do të shkatërroheshin të dyja. Qoftë i pastër Perëndia – Zot’i Arshit, nga ato që ia përshkruajnë Atij!
23; Nuk do të pyetet (Ai) për atë që punon, e ata do të jenë të pyetur.
24; Vallë, a marrin ata tjerë zotëra, përpos Tij? Thuaj: “Sillni argumentin tuaj!” Ky (Kur’ani) është një këshillë për ata që janë me mua dhe këshillë për ata që kanë para meje, por, shumica e tyre nuk di të Vërtetën dhe shmangen nga ajo.
25; Na, nuk kemi dërguar asnjë pejgamber para teje e që të mos ia kemi shpallur atij: “S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj adhuromëni Mua!”
26; Dhe ata thonë: “Mëshiruesi ka marrë për Vete fëmijë”. – I pastër është Ai – Jo, ata (engjëjt) janë robër të ndershëm.
27; Ata nuk flasin pa lejen e Tij, dhe ata punojnë me urdhërin e Tij.
28; Ai di se ç’kishte para tyre dhe çka do të ketë pas tyre, dhe (ata) ndërmjetësojnë vetëm për ata që është i kënaqur (Perëndia), e ata janë të brengosur nga frika prej Tij.
29; E kush prej tyre thotë: “Unë jam zot, përpos Atij”, atë, Na e dënojmë me xhehennem. Kështu Na i ndëshkojmë zullumqarët.
30; A nuk e dinë mohuesit, se qiejt dhe Toka kanë qenë një tërësi, e Ne i kemi ndarë ato; e nga uji Ne kemi krijuar çdo gjë (të gjitha gjallesat)? Dhe vallë, nuk po besojnë ata?
31; Dhe, Ne, kemi vendosur nëpër Tokë male stabile, për të mos u lëkundur ajo bshkë me ta (njerëz), dhe kemi bërë lugina dhe rrugë për të udhëtuar në to.
32; Dhe, Ne, e kemi bërë qiellin plafon të mbrojtur, e ata megjithatë, shmangen nga mrekullitë që gjenden në të.
33; Dhe, Ai është i cili krijoi natën dhe ditën, Diellin dhe Hënën; e të gjitha këto lundrojnë në gjithësi.
34; Dhe, Na, para teje, askë nuk e kemi bërë të pavdekshëm, e nëse ti vdes; a do të mbesin ata gjallë?
35; Çdo person do ta shijojë vdekjen! Na ju vëmë në sprovë juve – me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.
36; E, kur mohuesit të marrin ty vetëm si objekt talljeve (dhe thonë): “A ky është ai që po i përmend zotrat tuaj?” E, ata janë mohues në të përmendurit e Mëshiruesit të Gjithmbarshëm.
37; Njeriu është krijuar me cilësi nxituese (është i ngutshëm). Unë do t’jua tregoj argumentet e Mia, prandaj, mos më nxitoni Mua (në dënime).
38; Dhe ata thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse flitni të vërtetën?”
39; Sikur të dinin mohuesit kohën se kur nuk do të mund ta evitojnë zjarrin nga fytyrat e tyre dhe as nga shpinët e tyre, e as nuk do të ndihmohen prej askujt (nuk do të kishin kërkuar nxitimin e dënimit),
40; por, atyre do t’u arrijë Kijameti papritmas, e do t’i trullosë ata dhe nuk do të mund ta kthejnë atë, as nuk do t’u jepet afat atyre!
41; Në të vërtetë, ata i kanë përqeshur pejgamberët edhe para teje, e që (dënimi) u ka arritur shpotitësve për shkak se ata talleshin.
42; Kush do t’ju ruajë natën dhe ditën (nga dënimi) i Perëndisë, Mëshirues. Jo, askush! E, megjithatë, ata shmangën nga të përmendurit Zotin e tyre (Kur’anin).
43; Apo ata kanë zotëra të tjerë, të cilët i mbrojnë prej Nesh. Ata (zotërat e tyre) nuk mund t’i ndihmojnë as vetes, dhe askush nuk mund t’i marrë mohuesit në mbrojtje nga dënimi Ynë.
44; Jo, (ata nuk kanë mbrojtës), por Ne, u kemi dhënë atyre (mohuesve) dhe baballarëve të tyre komoditet, e jeta e tyre u zgjat. A nuk shohin vallë ata që Ne i qasemi tokës së mohuesve dhe ia cungojmë skajet e saj? E, si mund të jenë ata fitues?
45; Thuaj: “Unë vetëm ju paralajmëroj juve me shpallje”. Por, të shurdhërit nuk dëgjojnë thirrjen kurparalajmërohen.
46; E, sikur t’i prekë një puhi prej dënimit të Zotit tënd, ata me siguri do të thonin: “Kuku për ne, na kemi qenë zullumqarë”.
47; Dhe Ne, në Ditën e Kijametit do të vendosim peshoja të sakta, e askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi për asgjë edhe nëse është fjala për peshë sa të një kokërre hara dalli (lloj mëlmese), Na do ta sjellim atë (për llogari), e Na jemi të mjaftueshëm për llogaritje.
48; Na, me të vërtetë, ia kei dërguar Musait dhe Harunit – Librin, (i cili ndanë të Vërtetën prej të pavërtetës) edhe dritë edhe këshillë për ata që besojnë,
49; të cilët i druajnë Zotit të tyre – kur nuk i sheh askush, dhe ata brengosen për çastin e Ditës së Kijametit.
50; Dhe ky (Kur’ani) është këshillë e uratë, të cilën Ne (Perëndia) e kemi shpallur, e vallë, si ta mohoni ju atë?
51; Na ia kemi dhënë Ibrahimit qysh më parë pjekurinë (e profetnisë) dhe Ne e kemi ditur (se ai është i denjë për te),
52; kur ai i tha babës së vet dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”
53; Ata thanë: “Kemi gjetur se baballarët (të parët) tanë i adhuronin këta”.
54; (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju (si) dhe baballarët tuaj jeni në humbje të qartë”.
55; Ata thanë: “A na ke sjellë ti të Vërtetën, apo ti je nga ata që tallen?”
56; (Ibrahimi) tha: “Jo, por Zoti juaj është Zot’i qiejve dhe i Tokës, që Ai i krijoi ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.
57; Dhe, për Zotin, do t’ju bëjë një dredhi idhujve tuaj, posa të largoheni ju!” –
58; Dhe, i bëri ata copacopa, përpos idhullit të tyre më të madh. Ndoshta ata do t’i drejtohen atij.
59; Ata thanë: “Kush veproi kështu me zotërat tanë? Me të vërtetë, ai është zullumqarë!”
60; Ata thanë: “E dëgjuam një djalosh se si i nxiste ata (me fyerje), e ai quhej Ibrahim”.
61; Thanë ata: “Silleni atë para botës (njerëzve), që ata të dëshmojnë (kundër tij).
62; E pyetën ata: “A ti veprove kështu me zotërat tanë, o Ibrahim?”
63; (Ibrahimi) tha: “Jo, por këtë e ka bërë ky i madhi (idhulli) i tyre, e pyetni ata, nëse (mund të) flasin”.
64; E, u kthyen ata dhe i thanë (njëri-tjetrit): “Me të vërtetë, ju jeni zullumqarë”.
65; Pastaj, u rrotulluan në kokat e tyre (e ndrruan mendimin dhe i thanë Ibrahimit): “Po ti, me të vërtetë, e di që këta nuk flasin”.
66; (Ibrahimi) tha: “Mos vallë, ju adhuroni, përpos Perëndisë atë që nuk mund t’ju sjellë kurrfarë dobie as dëmi?”
67; Mjerë ju dhe mjerë ata që i adhuroni ju, përveç Perëndisë! A nuk po mendoni ju?
68; (Mohuesit) thanë: “Dijeni atë (Ibrahimin) dhe ndihmoni zotrat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!”
69; Ne, thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe bëhu shpëtim për Ibrahimin!
70; Dhe, ata dashtën t’i bëjnë një dredhi atij, por Ne, përpjekjen e tyre, e bëmë krejtësisht të kotë.
71; Dhe, e shpëtuam atë dhe Lutin në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.
72; Na, ia kemi dhuruar atij Is’hakun, dhe Jakubin si dhunti, dhe, të gjithë i kemi bërë të mirë.
73; Dhe Na, i kemi bërë ata udhëheqës, të cilët udhëzonin sipas urdhërit Tonë dhe u kemi shpallur atyre që të punojnë vepra të mira, të bëjnë namazin dhe të japin zeqatin, e vetëm neve na kanë adhuruar.
74; Dhe Lutit ia kemi dhënë profetninë dhe dijeninë, dhe e shpëtuam atë prej banorëve të vendbanimit, të cilët punonin vepra të këqia. Me të vërtetë, ata kanë qenë njerëz të këqinj e të mbrapsht.
75; E, atë e kemi shpënë në mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ai është prej të mirëve.
76; (Kujtoje) Nuhun kur ai thirri – para këtyre (që u përmendën), e iu gjegjëm atij dhe e shpëtuam atë dhe familjen e tij nga pikëllimi i madh.
77; Dhe i ndihmuam atij kundër popullit, i cili argumentet Tona i konsideronte gënjeshtra. Me të vërtetë, ata kanë qenë popull i keq, andaj i fundosëm të gjithë ata.
78; (Kujtoje) edhe Dautin dhe Sulejmanin, kur gjykuan mbi të lashtat, në të cilat kullotën natën bagtia (pa barinj), e Ne kemi qenë dëshmitarë të gjykimit të tyre.
79; E, Na, ia mësuam Sulejmanit gjykimin dhe dyve u dhamë mençuri e dijeni. Na kemi nënshtruar malet dhe shpendët që bashkë me Dautin ta lavdërojnë Perëndinë, këtë, Ne kemi fuqi ta bëjmë.
80; Dhe Na, ia kemi mësuar atij (Dautit) punimin e këmishave të hekurit për ju, për t’ju mbrojtur juve në luftë me armikun, andaj, a jeni ju mirënjohës?
81; Dhe, i kemi dhënë Sulejmanit frymë të fortë, që të ecë ajo (fryma) sipas urdhërit të tij, kah toka, të cilën Ne e kemi bekuar; dhe Na i dimë të gjitha gjërat;
82; dhe, (ia nënshtruam atij) disa nga djajtë që u zhytnin në det për të dhe bënin edhe punë të tjera, dhe Na i ruanim ata,
83; dhe (kujtoje) Ejubin kur iu lut Zotit të vet: “Mua, më ka goditur mjerimi, e Ti je më i mëshirshmi prje mëshiruesve!”
84; E, iu gjegjëm Na atij dhe ia larguam mjerimin që kishte ai, dhe ia dhamë atij familjen e tij, dhe krahas tyre – edhe aq (ia dyfishuam familjen) nga mëshira Jonë, që kjo të jetë këshilë për ata që Na adhurojnë.
85; Dhe (kujtoje) Ismailin, Idrisin dhe Dhulkiflin! Të gjithë këta kanë qenë të durueshëm.
86; Dhe, Na, i kemi kaluar ata me mëshirën Tonë. Me të vërtetë, ata janë njerëz të mirë.
87; Dhe, (kujtoje) Dhen-Nunin (Junusin) kur iku i zemëruar (nga populli i vet), e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: “S’ka zot tjetër përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar (ndaj vetes)!
88; Na iu gjegjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.
89; Dhe, (kujtoje) Zekerijjan, kur iu lut Zotit të vet: “O Zoti im, mos më le vetëm (pa fëmijë – djalë), e Ti je trashëgimtari më i mirë”.
90; E, Ne, iu gjegjëm atij, dhe ia dhuruam atij Jahjan, dhe Na, ia bëmë gruan e tij të aftë (për lindje). Me të vërtetë, ata (pejgamberët) nxitonin në vepra të mira dhe Na u luteshin, duke shpresuar (mëshirën Tonë), dhe duke druajtur (nga dënimi Ynë), dhe ishin të përulur ndaj Nesh.
91; Dhe (kujtoje) atë, e cila ruajti virgjinitetin e saj, e Na, i dhamë asaj frymëzim nga shpirti Ynë, dhe e bëmë atë (Merjemin) dhe djalin e saj – argument për botërat – njerëzit (që Perëndia është i pushtetshëm për çdo gjë).
92; Me të vërtetë, ky është besimi juaj – besimi i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni Mua!
93; E, ata në çështje të besimit u përçanë ndërveti, por të gjithë do të kthehen te Ne (e do t’i gjykojmë).
94; Ai që punon vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe, këtë (përpjekje) Na ia shënojmë atij.
95; Dhe e pamundur është, që banorët e një vendi të cilët i kemi zhdukur, Na, të mos kthehen (te Ne, në Ditën e Kijametit).
96; Dhe, kur të hapet ajo (penda), e dalin, Jexhuxhi dhe Mexhuxhi dhe lëshohen prej çdo lartësie duke shpejtuar
97; dhe të afrohet premtimi i vërtet, në atë çast – shikimet e atyre që nuk kanë besuar, do të zgurdullohen, (e thonë): “Kuku për ne! na kemi qenë të pakujdesshëm ndaj kësaj. Jo, por ne – vetes i kemi bërë zullum”.
98; Me të vërtetë, ju dhe ata që i adhuroni, – përpos Perëndisë, jeni lëndë djegëse të xhehennemit. Ju, do të vini në të.
99; Sikur këta të ishin zotra, nuk do të vinin te ajo (skëterra), dhe, të gjithë (edhe adhuruesit edhe të adhuruarit) – do të mbeten përherë në të.
100; Ata do të kenë në të (zjarr) gërhamë (frymënxjerrje me zë) dhe ata në të (zjarr) nuk do të dëgjojnë (asgjë).
101; E, ata, të cilëve u kemi premtuar shpërblimin e bukur qysh më parë, ata do të jenë larg nga ajo (skëterra).
102; Ata, nuk do të dëgjojnë fërshëllimën e tij (zjarrit) dhe ata do të qëndrojnë përherë në atë që u ka dëshiruar shpirti i tyre,
103; ata, nuk do t’i brengosë tmerri më i madh, por engjëjt do t’i presin ata (duke u thënë): “Kjo është (ajo) dita juaj e premtuar”.
104; (Kjo do të ngjajë) atë Ditë, kur do të palojmë qiellin – ashtu si palohet letra e shkrimit. Ashtu siç e kemi filluar krijimin e parë, (ashtu) do t’i kthejmë ato (krijesat). Ky është premtimi Ynë. Na, këtë, me të vërtetë, do ta bëjmë.
105; Na, me të vërtetë, e kemi shënuar në Zebur, pas Tevratit, që Tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.
106; Me të vërtetë, në këtë (Kur’an) ka këshilla të mjaftueshme për ata që e adhurojnë Perëndinë.
107; Dhe, Na të kemi dërguar ty (o Muhammed!) vetëm si mëshirë për botërat – njerëzit.
108; Thuaj: “Mua më është shpallur vetëm (ajo), që Zoti juaj është vetëm një Zot, pra i jeni të përulur ju kësaj (Shpallje)”.
109; E, nëse shmangen ata, ti thuaju: “Unë, ju kam lajmëruar juve, të gjithëve – pa dallim dhe unë nuk di a është afër apo larg ajo, që u është premtuar juve”.
110; Ai, me të vërtetë, di të folmën (tuaj) me zë dhe di atë që fshihni ju.
111; E, unë nuk di: a mos është ajo (shtyerja e dënimit) sprovë për ju, apo kënaqësi e përkohshme.
112; (Muhammedi) tha: “O Zoti im, gjyko ashtu si e kanë merituar! E, Zoti ynë, Bamirës i Gjithmbarshëm, është Ai, nga i cili kërkohet ndihmë kundër atyre që ju ia mvishni Atij”.

Pages ( 21 of 114 ): « Previous1 ... 1920 21 2223 ... 114Next »