Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 32 (Sura 32)
1; Elif, Lám, Mîm.
2; Shpallja e këtij Libri, për të cilin s’ka dyshim – është nga Zoti i gjithësisë,
3; e ata thonë: “Ai (Muhammedi) e ka trilluar atë! Jo, ajo është e Vërteta nga Zoti yt – për ta paralajmëruar popullin, të cilit, para teje nuk i ka ardhur kurrfarë paralajmëruesi, që të shkojë në rrugë të drejtë.
4; Perëndia është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre, për gjashtë ditë (periudha kohore), dhe e ka mbizotëruar Gjithësinë (Arshin). Ju, nuk keni – pos Tij, ndihmës as ndërmjetësues; e vallë, a nuk po mendoni?
5; Ai i udhëheq të gjitha gjërat, prej qiellit deri në Tokë, e atëherë kthehen tek Ai në ditën, gjatësia e së cilës është një mijë vjet sipas llogaritjes suaj (në këtë Botë).
6; Ai është dijtës i gjërave të padukshme dhe të dukshme, i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues,
7; i cili e ka bërë të mirë çdo gjë që ka krijuar dhe ka filluar krijimin e njeriut prej balte,
8; (e) pastaj, ka bërë që pasardhësit e tij të krijohen prej një rrjedhje të dobët të ujit (spermës),
9; pastaj, e ka krijuar atë (njeriun) dhe i ka dhënë gjallëri, me frymëzimin e Tij. Ai ju ka dhënë të dëgjuarit, të pamurit dhe të menduarit, – e sa pak prej jush që jeni mirënjohës.
10; Dhe ata thonë: “E, vallë, pasi të humbasim nën tokë, përsëri do të ngjallemi?” Dhe ata, nuk besojnë se do të takohen me Zotin e tyre.
11; Thuaju: “Do t’jua merr shpirtin engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj”.
12; E, sikur t’i shohësh mëkatarët se si para Zotit të tyre kokëulur thonë: “O Zoti ynë, pamë dhe dëgjuam, andaj, kthena që të punojmë vepra të mira! Na, me të vërtetë, me ngulmëri besojmë!”
13; E, sikur Ne të donim, do t’ia jepnim çdo personi udhëzimin e tij, por kjo është fjala Ime e vërtetë: “Me të vërtetë, do ta mbush xhehennemin me xhindë dhe njerëz bashkërisht!”
14; E, shijoni (dënimin), ngase e keni harruar takimin e kësaj dite. Në të vërtetë, Ne ju kemi braktisur – dhe shijoni dënimin e përhershëm për atë që keni punuar.
15; Ajetet Tona i besojnë vetëm ata të cilët kur të këshillohen me to, bijnë në sexhde, dhe të cilët, e madhërojnë Zotin e tyre duke iu falenderuar Atij, dhe të cilët, nuk bëhen mendjemëdhenj.
16; Pjesët e trupit të tyre ngriten nga shtrati (për t’u falur); i luten Zotit të tyre duke druajtur dhe shpresuar, dhe japin (lëmoshë) nga ajo që u kemi dhënë Ne.
17; Askush nuk di se çfarë gëzime të fshehta janë për ta – shpërblimi për atë që kanë punuar.
18; Vallë! A është njësoj si besimtari si mëkatari? Jo, ata nuk janë të barabartë:
19; ata që kanë besuar dhe punuar vepra të mira, për ta janë kopshtet e xhennetit Meëva – të përgatitur për atë që kanë punuar;
20; e ata që kanë bërë keq, vendbanim i tyre është zjarri; sa herë që duan të dalin nga ai (zjarri), do të kthehen në të dhe do t’u thuhet: “Shijoni dënimin e zjarrit, të cilin e keni përgënjeshtruar!”
21; Dhe Ne, do të bëjmë që të shijojnë dënimin e kësaj jete para (atij) dënimit të madh, për t’u penduar ata.
22; Kush është zullumqar më i madh se ai, që është këshilluar me argumentet e Zotit të tij, e shmanget prej tyre? Na, me të vërtetë, do t’i dënojmë mëkatarët!
23; Na, madje, ia kemi dhënë Librin Musait, dhe mos dysho në takimin me të, dhe e kemi bërë atë (Librin) udhërrëfyes për bijtë e Israelit.
24; Na, prej tyre – kemi bërë udhëheqës, të cilët udhëzonin me urdhërat Tona, meqë ishin të durueshëm dhe besonin bindshëm në argumentet Tona.
25; Me të vërtetë, Zoti yt, do t’i gjykojë në mes tyre Ditën e Kijametit, për atë që e kundërshtuan njëri-tjetrin.
26; (Vallë)! A nuk u është e qartë atyre se sa popuj i kemi shkatërruar Ne para tyre; nëpër shtëpiat e të cilëve ecin? Me të vërtetë, në këto ka argumente, e ata nuk po dëgjojnë (këshillat).
27; Vallë! A nuk shohin ata, që Ne, me të vërtetë e dërgojmë ujin në tokën e shkretëruar, e me të – nxjerrim të lashtat, me të cilat ushqehen shtazët e tyre dhe ata vetë, e ata madje nuk po shohin?!
28; Dhe, ata thonë: “E, kur më fitorja (Dita e Kijametit), nëse thoni të vërtetën?”
29; Thuaju (o Muhammed!): “Ditën e gjykimit, nuk do t’u bëjë dobi mohuesve besimi i tyre, e as që do t’u jepet afat”.
30; Andaj, ti shmangu nga ata dhe prit, edhe ata, me të vërtetë, po presin!

Pages ( 32 of 114 ): « Previous1 ... 3031 32 3334 ... 114Next »