Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 36 (Sura 36)
1; Jâ Sîn.
2; Pasha Kur’anin plotë dijeni,
3; me të vërtetë, ti (o Muhammed!) je pejgamber,
4; në rrugën e drejtë,
5; me shpalljen e të Plotëfuqishmit, Mëshiruesit,
6; që ta paralajmërosh popullin – paraardhësit e të cilit nuk ishin të paralajmëruar, prandaj (ata) kanë qenë të pakujdesshëm!
7; Me të vërtetë, u realizua Fjala (e dënimit) ndaj shumicës së tyre – e ata nuk besojnë.
8; Ne u vumë pranga në qafë, e ato u arrijnë deri në nënmjekërr, – andaj ata janë me kokë përpjetë,
9; dhe Ne, vumë perde para tyre dhe perde pas tyre, e i mbuluam, e ata nuk shohin,
10; dhe për ata është njëlloj, i paralajmërove oe nuk i paralajmërove, ata nuk besojnë.
11; Me të vërtetë, paralajmërimi yt i sjell dobi vetëm atij që ndjek Këshillën (Kur’anin) dhe i druan Mëshiruesit dhe fshehtas (pa e parë); e sihariqoje atë duke ia falë mëkatet dhe duke i dhënë shpërblim të begatshëm!
12; Ne, me të vërtetë, i ringjallim të vdekurit, shënojmë veprat që i kanë paraqitur dhe gjurmët e tyre, e Ne i numërojmë të gjitha ato në Librin e qartë.
13; Përmendju atyre shembullin e banorëve të qytetit, kur u erdhën atyre pejgamberët;
14; Kur Ne u dërguam atyre dy, e ata i konsideronin gënjeshtarë, madje i përforcuam me të tretin, e thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!”
15; Ata (banorët e qytetit), ju thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne, e Bamirësi nuk ju ka zbritur asgjë; ju vetëm gënjeni”.
16; Thanë (pejgamberët): “Zoti ynë e di që ne, me të vërtetë, jemi dërguar pejgamberë te ju,
17; dhe se jemi të obliguar vetëm që të shpallim qartë”.
18; Thanë (banorët): “Ne parandjejmë fatkeqësi nga ju; e nëse nuk frenoheni, do t’ju gjuamë me gurë dhe me siguri do t’ju godas dënimi i dhembshëm prej nesh”.
19; Thanë (pejgamberët): “Fatkeqësia juaj është me ju. Vallë, a për atë që jeni këshilluar (e konsideroni fatkeqësi)? Jo, (por) ju jeni popull që kaloni kufirin në të këqia”.
20; E, erdhi një njeri nga periferia e qytetit – duke nxituar dhe tha: “O populli im, pasoni pejgamberët;
21; pasoni ata, që nuk kërkojnë prej jush kurrfarë shpërblimi, e ata janë në rrugën e drejtë!
22; Pse të mos e adhuroj unë Ate, i cili më ka krijuar. E, te Ai do të ktheheni ju.
23; Vallë, a marr unë tjetër zot – pos Atij? Nëse Bamirësi i Gjithëmbarshëm dëshiron të më godas me ndonjë të keqe, – ndërmjetësimi i tyre nuk do të më sjell kurrfarë dobie, e as që do të munden të më shpëtojnë ata.
24; Unë, atëherë – me siguri, do të jem në humbje të plotë.
25; Unë, me të vërtetë, i kam besuar Zotit tuaj, andaj, më dëgjoni!”
26; I thuhet atij: “Hyn në xhennet!” Ai tha: “Ah, sikur ta dinte populli im,
27; për çka më fali (nga mëkatet) Zoti im dhe më bëri të nderuar!”
28; Dhe, Ne nuk i kemi dërguar kurrfarë ushtrie (nga qielli) popullit të tij – pas tij, dhe Ne nuk kemi dërguar asgjë,
29; vetëm një zë të tmerrshëm, e u shuan përnjëherësh.
30; Ah, sa mjerim për ata njerëz! Kurdo që u vinte ndonjë pejgamber, ata nuk bënin tjetër, por vetëm talleshin me te.
31; Vallë, a nuk panë ata se sa e sa gjenerata para tyre i kemi shkatërruar, e nuk u kthyen,
32; e të gjithë ata do të paraqiten bashkërisht te Ne.
33; E, dëshmi për ta – është toka e vdekur; Ne e ngjallim atë, dhe nga ajo nxjerrim kokrra (drithëra), me të cilat ushqeheni.
34; Ne kemi krijuar në tokë kopshte hurmesh dhe vreshta, – dhe kemi bërë në të burime uji,
35; që ata t’i hanë frutet e tyre dhe nga ato që i punojnë duart e tyre; e përse ata nuk duan të jenë mirënjohës?
36; Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar të gjitha llojet (gjinitë): çka binë prej tokës, dhe nga ata vetë (njerëzit) dhe nga ajo që ata nuk dinë!
37; Dhe, argument për ta është nata: Na e menjanojmë (dritën) e ditës dhe atëherë – ata mbetën në errësirë.
38; Dhe Dielli sillet deri në kufirin e vet të caktuar. Kjo është dispozitë e të Plotëfuqishmit dhe Gjithëdijshmit.
39; Dhe Hënës ia kemi caktuar pozitat; ajo kthehet (duke qenë e plotë) e bëhet si rremi (i hollë) i vjetër i hurmës.
40; As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën, e as nata (Hëna) nuk mund ta kalojë ditën (Diellin); të gjitha lundrojnë në hapsirën qiellore (ose: çdo trup qiellor lëvizë).
41; Dhe argument për ta është që pasardhësit e tyre i ngarkuam në anije përplot,
42; dhe, për ta, Ne krijuam bartëse të ngjashme me anijen në të cilën hipin (e udhëtojnë).
43; Dhe, po të duam Ne, ata i fundosim; andaj – as nuk do të mund t’u ndihmojë kush, as nuk do të mund të shpëtojnë,
44; përpos me mëshirën Tonë dhe të kënaqen deri në një kohë.
45; E, kur atyre u thuhet: “Druajuni asaj (dënimit) që keni para jush (në këtë botë) dhe atë që është pas jush (botën tjetër), për të qenë të mëshiruar…”
46; Dhe, atyre nuk u vinte asnjë argument nga argumentet e Zotit të tyre, e që ata të mos shmangeshin nga ato.
47; E, kur atyre ju thuhet: “Jepni nga ato me të cilat Perëndia u ka furnizuar juve”, – e atëherë, mohuesit u thonë besimtarëve: “Vallë, a ne t’i ushqejmë ata, të cilët do t’i ushqente Perëndia – po të donte? Me të vërtetë, ju jeni në humbje të qartë!”
48; Dhe, ata (mohusit) thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”
49; Ata presin vetëm një zë të tmerrshëm, që do t’i kaplojë duke u grindur njëri me tjetrin,
50; E, ata nuk do të mund t’i kryejnë porositë e as të kthehen te familja e tyre.
51; Dhe, do të fryhet në Sur, e ata do të dalin nga varret dhe nxitojnë kah Zoti i tyre,
52; duke thënë: “Kuku për ne! kush na ngjalli (çoi) prej shtretërve tanë?” (Ju thuhet): “Ja, kjo është ajo që e ka premtuar Mëshiruesi i Madh, e pejgamberët e kanë thënë të vërtetën!
53; Do të jetë ai vetëm një zë i tmerrshëm, e ata të gjithë (përnjëherë) do të prezentohen para Nesh.
54; Ja, sot (në këtë ditë), askujt nuk do t’i bëhet ndonjë padrejtësi, dhe ju do të shpërbleheni vetëm për atë që keni punuar.
55; Atë ditë, me të vërtetë, banorët e Xhennetit janë të angazhuar me kënaqësi,
56; ata dhe gratë e tyre janë në hije (fllade), të mbështetur në kolltuqe,
57; në të (xhennet) – për ta, ka pemë dhe çdo gjë që dëshirojnë.
58; “Selam!” – (përshëndetën ata) me fjalë prej Zotit Mëshirues, –
59; (u thuhet): “e veçohuni sot ju, o mëkatarë!”
60; Vallë, a nuk ju kam urdhëruar, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni djallin, se ai, me të vërtetë, është armik i përbetuar i juaji,
61; por vetëm Mua më adhuroni! Kjo është rrugë e drejtë.
62; Ai (djalli), me të vërtetë, ka humbur shumë grupe njerëzish prej jush, e vallë, a nuk keni menduar!
63; (U thuhet atyre): “Ky është xhehennemi, që u është premtuar,
64; kalluni (digjuni) tani në të (xhehennem), ngase nuk keni besuar!”
65; Sot, Ne do t’u vulosim gojët e tyre, e do të flasin duart e tyre dhe do të dëshmojnë këmbët e tyre për atë që kanë fituar.
66; Sikur të donim Ne, Ne do t’ju vërbonim sytë atyre duke ua rrafshur fytyrën, e ata do ta kërkonin rrugën; po, vallë si do të shihnin?
67; Dhe, sikur të kishim dashur, Ne do t’i kishim shndërruar ata (prej krijese njerëzore në krijesa tjera) në atë moment, e ata nuk do të mund as të shkonin e as të ktheheshin.
68; Kujt i japim jetë të gjatë, Na ia ndryshojmë strukturën e tij. E, vallë, a nuk kuptojnë ata?
69; Na, atij (Muhammedit) nuk ia mësuam poetikën, e as që ajo është për te. Këtë (që e ka sjellë) është vetëm këshillë dhe Kur’ani i qartë,
70; për ta paralajmëruar atë që është i gjallë (i mençur), dhe për t’u realizuar fjala (dënimi) ndaj mohuesve.
71; Vallë, a nuk shohin ata, se Ne për ta i kemi krijuar shtazët – me mjeshtrinë Tonë, e ata i posedojnë!
72; dhe bëmë që ato t’u nënshtrohen atyre – disa i shalojnë e prej disave ushqehen,
73; dhe nga ato kanë shumë dobi, dhe pije (qumështi). E, vallë, si nuk falenderohen!
74; Dhe, ata pos Perëndisë, kanë besuar në zotëra tjerë, duke shpresuar se do t’u ndihmojnë ata (idhujt);
75; mirëpo, ata nuk mund t’u ndihmojnë atyre, dhe ata janë për ta një ushtri e pranishme (në ferr).
76; Dhe, mos të pikëllojnë ty fjalët e tyre! Na, me të vërtetë, i dimë ato që i fshehin ata dhe çka shpallin.
77; A nuk sheh njeriu se si Ne e krijuam atë prej pikës së ujit (farës – spermës), e megjithatë, ai është kundërshtar i hapët,
78; dhe ai na sjell shembull, e harron krijimin e vet. Thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat duke qenë ato të kalbura (shkapërderdhura)?”
79; Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë; Ai i di të gjitha ato që i ka krijuar,
80; (Ai), i cili e bër për ju – prej drurit të njomë – zjarrin dhe ju prej ti ndizni”.
81; Vallë, a nuk është i pushtetshëm ai që krijoi qiejt dhe Tokën – të krijoi qenie të ngjashme (të ringjallë pas vdekjes)? Po, me të vërtetë, Ai është Krijues i çdo gjëje dhe i Gjithëdijshëm;
82; Dispozita e Tij (Perëndisë), kur dëshiron të bëjë diçka, është vetëm të thotë: “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.
83; I lartësuar është Ai, në duart e të cilit është pushteti mbi çdo gjë! Dhe, tek Ai do të ktheheni!

Pages ( 36 of 114 ): « Previous1 ... 3435 36 3738 ... 114Next »