Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 14 (Sura 14)
1; Elif Lâm Râ. Ky është Libri, që ta kemi shpallë ty, që njerëzit t’i nxjerrish nga errësira në dritë, me lejen e Zotit të tyre, në rrugën e të Plotëfuqishmit dhe të Falenderueshmit,
2; Perëndi, të cilit i përkasin çka ka në qiej dhe në Tokë. E, mjer për mohuesit nga dënimi i tmerrshëm (që do t’i godasë),
3; ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, dhe pengojnë njerëzit nga rruga e Perëndisë dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.
4; Na nuk kemi dërguar asnjë pejgamber, përpos në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (e ta kuptojnë). Perëndia e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
5; Na e dërguam Musain me argumentet Tona (dhe i thamë atij): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre dëtët e Perëndisë (ngjarjet e mira dhe të këqija)!” Me të vërtetë, në këtë, ka argumente për çdonjërin që është i durueshëm dhe falenderues.
6; (Kujtoje) kur Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni dhuntinë që ju dha Perëndia, kur (Ai) ju shpëtoi nga populli i Faraonit, të cilët ju munduan me torturat më të rënda, e i prenin djemtë tuaj, e ju linin në jetë femrat (tuaja), – kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj, –
7; (Kujtoje) dhe kur Zoti juaj parashtroi: “Nëse bëheni mirënjohës, Unë, me siguri, do t’ju jap edhe më shumë; e nëe bëheni mohues, (do të dënoheni). Me të vërtetë, dënimi Im është i rëndë”.
8; Dhe Musai ka thënë: “Nëse nuk besoni, ju dhe të gjithë ç’janë në Tokë, – Perëndia, me të vërtetë, është i pasur dhe plot lavdi (s’ka nevojë për falenderimin tuaj)”.
9; A nuk u ka ardhur juve lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, dhe të Adit, dhe të Themudit dhe për ata pas tyre? – Vetëm Perëndia i di ata! – Pejgamberët e tyre kanë ardhur me dokumente të qarta, por ata venin duart e tyre në gojë (me tallje dhe pezm) dhe thonin: “Na nuk besojmë me atë që jeni dërguar ju. Na jemi me dyshim të madh ndaj asaj që na thirrni ju!”
10; Pejgamberët e tyre u kanë thënë: “Vallë a mund të dyshohet në Perëndinë, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës? Ai u thërret juve për t’ju falur disa mëkate tuaja dhe që t’ju lë juve deri në afatin e caktuar”. Ata (jobesimtarët) thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne. Ju dëshironi të na shmangëni nga ajo që kanë adhuruar të parët tanë. Andaj, na sillni mrekulli të dukshme!”
11; Pejgamberët e tyre, u thanë: “Na jemi vetëm njerëz si ju, por Perëndia e cilëson (me pejgamberllëk) kë të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’u sjellim mrekulli pa urdhërin e Perëndisë, e besimtarët le të mbështeten vetëm në Perëndinë.
12; E, përse të mos mbështetem (shpresojmë) në Perëndinë, kur Ai na ka dëftuar rrugën e drejtë në të cilën po ecim? Na, me të vërtetë, do të durojmë në atë që na mundoni ju – e ata që mbështeten (shpresojnë), le të shpresojnë vetëm në Perëndinë!”
13; Dhe mohuesit u thanë pejgamberëve të tyre: “Na do t’ju dëbojmë juve nga toka e jonë, ose do të ktheheni ju në fenë tonë!” Andaj, Zoti (pejgamberëve të Vet) u shpalli: “Na, me të vërtetë, do t’i zhdukim zullumqarët,
14; e juve do t’ju vendosim në tokën e tyre – pas tyre. Kjo (dhuratë) është për ata që i druajnë Madhërisë Sime dhe i frikohen premtimit (dënimit) Tim”.
15; (E, pejgamberët) kërkuan ndihmë (nga Perëndia), andaj është shkatërruar çdo kokëfortë e kryelartë, –
16; para tyre është xhehennemi – dhe ai do të furnizohet me ujë të qelbët,
17; të cilin e hërpatin, e nuk mund ta përbijnë. E, vdekja u vie atyre nga të gjitha anët, por ata nuk vdesin; dhe pas tij ka dënim të rëndë.
18; Vepra e atyre që nuk besojnë Zotin e tyre, i shembëllen hirit, që në ditën e stuhishme bartet nga era. Nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbje e madhe.
19; Vallë, a nuk sheh ti se si Perëndia ka krijuar përsosmërisht qiejtë dhe Tokën? E, nëse Ai don, do t’ju zhdukë juve dhe do të sjellë popull të ri;
20; kjo nuk është punë e rëndë për Fuqiplotin Perëndi.
21; Dhe të gjithë do të dalin para Perëndisë. (Atëherë), ata që kanë qenë të shfrytëzuar, do t’u thonë atyre që janë kryelartësuar: “Na kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të largoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Perëndisë?” Ata thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Perëndia në rrugën e drejtë, edhe na do t’ju kishim udhëzuar juve. Rrënkojmë ne apo durojmë, – njësoj na është neve, nuk do të ketë shpëtim për ne”.
22; Dhe, do të thotë djalli, kur të merr fund puna: “Me të vërtetë, Perëndia u ka premtuar juve premtimin e vërtetë. Edhe unë ju kam premtuar, por ju kam mashtruar. Por, unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju, përpos që ju kam thirrur, e ju më jeni përgjegjur. Prandaj, mos më qortoni, por qortonie veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj, e as ju nuk jeni shpëtimtari im. Unë, tani mohoj atë që ju më parë më patët bërë shok (me Perëndinë)”. Me të vërtetë, për zullumqarët ka dënim të dhembshëm.
23; E, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, do të hyjnë në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, ku ata, me lejen e Zotit të tyre, do të banojën përherë. Në to, do të përshëndeten me fjalën: “Selam!”
24; Vallë a nuk sheh se si Perëndia jep shembullin – fjala e bukur si druri i bukur: rrënja është e fortë në tokë, kurse degët kah qielli;
25; që me lejen e Zotit të saj jep frut në çdo kohë. Dhe Perëndia u tregon shembullin njerëzve për t’u këshilluar ata.
26; Fjala e shëmtuar është si druri i shëmtuar: i shëmbur për dhé dhe i paqëndrueshëm për ekzistencë.
27; Perëndia besimtarët i forcon me fjalë të qëndrueshme, në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse zullumqarët i shpie në humbje; Perëndia punon ç’të dojë.
28; Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Perëndisë e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë, popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit, –
29; në xhehennem, në të cilin do të digjen – e sa vendbanim i tmerrshëm është ai! –
30; dhe i kanë trilluar shok Perëndisë për t’i larguar (njerëzit tjerë) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, se kthimi juaj është në zjarr!”
31; Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita, në të cilën s’ka shitje as miqësi.
32; Perëndia është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën; Ai zbret ujin nga qielli e me të jep frutet për t’u ushqyer ju; dhe u jep juve që të shfrytëzoni anijet për të lundruar me to nëpër dete, me autorizimin e Tij, dhe u jep që të shfrytëzoni lumenjt;
33; dhe ju jep që të shfrytëzoni Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht, dhe ju jep që të shfrytëzoni natën dhe ditën;
34; dhe ju jep nga të gjitha ato që keni kërkuar nga Ai (sipas nevojave tuaja), e nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Perëndisë, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. – Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jomirënjohës.
35; (Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëne të sigurt këtë qytet dhe më largo mua dhe bijtë e mi nga të adhuruarit e statujave,
36; O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; e ai që më kundërshton mua, – Ti, pra, me të vërtetë, je falës dhe mëshirues.
37; O Zoti ynë, unë, me të vërtetë, i kam vendosur disa pasardhës të mi në një luginë ë nuk mbillet, te Shtëpia e Jote e shenjtë; o Zoti ynë (i kam vendosur këtu) për të falur namazin; andaj, bënë që zemrat e disa njerëzve të nxitojnë kah ata dhe furnizoji ata me frute, për t’u bërë falenderues ata.
38; O Zoti ynë, Ti, me të vërtetë, di ato që fshehim e çka shfaqim ne haptazi. Nuk i fshehet asgjë Perëndisë as në Tokë as në qiell.
39; Qoftë lavdëruar Perëndia, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun; Zoti im, me të vërtetë, është pranues i lutjeve.
40; O Zoti im, bën që unë të kryejë përherë namazin dhe ashtu disa pasardhës të mi! O Zoti ynë, pranoje lutjen time!
41; O Zoti ynë, më fal mua dhe prindërit e mi dhe besimtarët – në Ditën kur do të jepet llogari!”
42; E ti, mos mendo, kurrsesi, që Perëndia nuk vëren atë që punojnë zullumqarët! Ai, vetëm ua shtyen (dënimin) dei në Ditën kur sytë e tyre do të mbeten të hapur,
43; dhe duke vrapuar, me kokë ngrehur, nuk mund t’i lëvizin sytë (e shikojnë me ngulmim); e zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).
44; Ti, paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vie dënimi, e zullumqarët do të thonë: “O Zoti ynë, na lë (kthena në jetë) neve vetëm edhe pak kohë; na do t’i pëgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë pejgamberët!” (Ju thuhet atyre): “E vallë, a nuk jeni betuar më parë se nuk ka për ju zhdukje?
45; Dhe keni banuar në shtëpitë e atyre, të cilët i kanë bërë zullum vetes dhe e keni pasur të qartë se si kemi vepruar me ta. Dhe, Na, ju kemi treguar shumë shembuj”.
46; Dhe ata thurin dredhitë e tyre, e te Perëndia është dënimi i dredhive të tyre; për dredhitë e atyre nuk mund t’i lëkundin malet.
47; As mos mendo se Perëndia nuk do ta mbajë premtimin e Vet (që u ka dhënë) pejgamberëve të Vet – se, Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe ndëshkon –
48; në Ditën kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, e kur të gjithë të dalin para të Vetmit dhe të Plotëfuqishmit Perëndi.
49; Dhe atë ditë do t’i shohësh mëkatarët të lidhur në pranga;
50; Këmishat do t’i kenë prej katranit, e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat e tyre, –
51; (Kështu) Perëndia shpërblen çdo njërin për atë që ka punuar. Perëndia, me të vërtetë, ëshë llogaritar i shpejtë.
52; Ky (Kur’ani) është shpallë për njerëzit, dhe me të paralajmërohen ata, që ta dinë se Ai është i vetmi Perëndi, dhe për t’u këshilluar njerëzit e mençur!

Pages ( 14 of 114 ): « Previous1 ... 1213 14 1516 ... 114Next »