Albanian Quran | Lexoni Kuran

Chapter 31 (Sura 31)
1; Elif, Lám, Mîm.
2; Këto janë ajetet nga Libri plotë dijeni,
3; (i cili) është udhërrëfyes dhe mëshirë për bamirësit,
4; ata që kryejnë namazin dhe japin zeqatin, dhe të cilët besojnë bindshëm në jetën tjetër.
5; Këta janë ata që janë udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuar.
6; E, ka disa nga njerëzit që besojnë në tregime të kota, për t’u shmangur nga rruga e Perëndisë, pa kurrfarë dijenie, duke e pandehur (rrugën e Zotit) qesharake. Të atillët i pret dënimi i poshtëruar.
7; Kur ndonjërit prej tyre, u lexohen ajetet Tona (Kur’ani), ai shmanget me mendjemadhësi, thuase nuk i ka dëgjuar, thuase iu kanë shurdhuar veshët. Andaj, sihariqoi ata me dënim të dhembshëm.
8; Me të vërtetë, ata që kanë besuar dhe punojnë vepra të mira do të gjenden në kopshtet e dhuntisë,
9; në të cilat do të qëndrojnë përherë. Premtimi i Perëndisë është i vërtetë, e Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
10; (Ai) ka krijuar qiejt pa shtylla, e i shihni ju – ka vendosur male të palëvizshme në Tokë, për të mos u lëkundur ju, dhe ka shpërndarë në të, gjithfarë lloj shtazësh. Ne, e kemi zbritu ujin nga qielli dhe me të, kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje bimësh të mira (buta).
11; Ky është krijimi i Perëndisë; më tregoni çka kanë krijuar të tjerët pos Tij? Jo, por, me të vërtetë, zullumqarët janë në humbje të vërtetë.
12; Dhe, Ne, me të vërtetë, i kemi dhënë Llukmanit dijeninë e mrekullueshme, (dhe i kemi thënë): “Falenderoje Perëndinë, e kush është falenderues, ai falenderon për të mirën e vet, e kush mohon – Perëndia, me të vërtetë, është i pavarur dhe i lavdëruar”.
13; Dhe, (kujtoje) kur Llukmani i tha djalit të vet, duke e këshilluar: “O djali im, mos i bënë shok Perëndisë! Me të vërtetë, të bërit shok Perëndisë, është zullum i madh”.
14; Dhe, Ne, i kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka bartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. (Dhe i kemi thënë njeriut): “Bëhu falenderues ndaj Meje dhe prindërve tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”.
15; Nëse insistojnë ata, që të më bësh Mua shok për atë që nuk din asgjë, mos i dëgjo, por shoqërohu me ta në këtë jetë me të mirë, e ndiqe rrugën e atij që drejtohet tek Unë; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni punuar.
16; “O djali im, nëse (vepra e punuar) është e rëndë qoftë se një kokërr hardeli (lloj mëlmese), e ajo të jetë në shkëmb, ose në qiej ose në tokë, Perëndia do ta nxjerrë në shesh atë. Me të vërtetë, Perëndia është i butë dhe njohës i të gjitha fshehtësive.
17; O djali im, kryeje namazin, urdhëro me të mirë dhe pengo nga të këqiat dhe bëhu i durueshëm për atë që të ka goditur! Me të vërtetë, kjo është nga punët e mëdha, të vendosura.
18; Mos e shmang fytyrën tënde nga njerëzit dhe mos ec nëpër tokë mendjemadhësisht, se Perëndia nuk e don asnjë mendjemadh, as mburracak.
19; Ec me kujdes e modesti, e fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri (pallja e) i gomarit!”
20; A nuk shihni, se si Perëndia u ka mundësuar – t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka plotësuar dhuntitë e Tij – të jashtme dhe të brendshme? E, ka njerëz që polemizojnë për Perëndinë pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues.
21; Kur atyre u thuhet: “Pasoni atë që u ka shpallur Perëndia!” ata thonë: “Jo, (por) ne pasojmë të parët tanë”. E, sikur ata t’i thërriste djalli edhe në dënimin e skëterrës, (a do ta pasonin)?
22; Kush kthehet kah Perëndia, me tërë qenien e tij, duke qenë i mirë, ai është kapur për vegën më të fortë. E, te Perëndia, është fundi i çdo gjëje.
23; Dhe kush mohon, të mos të brengos mohimi i tij. Tek Ne do të kthehen ata, e Ne do t’i lajmërojmë për atë që kanë punuar. Me të vërtetë, Perëndia di ç’ka në zemrat e njerëzve.
24; Ne, ata do t’i kënaqim përkohësisht, e pastaj, do t’i hudhin furishëm në dënimin e ashpër.
25; E, nëse i pyet ti (o Muhammed) ata: “Kush ka krijuar qiejt dhe Tokën?” – me siguri do të thonë: “Perëndia!” E ti thuaj: “Falenderimi qoftë për Perëndinë!” Por, shumica e tyre nuk dinë.
26; Të Perëndisë janë të gjitha, në qiej dhe në Tokë. Me të vërtetë, Perëndia është i pavarur dhe i lavdëruar.
27; Sikur të gjithë drunjtë të gjenden në Tokë – të jenë penda (shkrimi), e deti ngjyrë shkrimi (tintë), e t’i shtohen atij edhe shtatë dete të tjera, nuk do të soseshin fjalët e Perëndisë. Me të vërtetë, Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
28; Të krijuarit dhe të ringjallurit e të gjithë juve është njësoj (për Te) – si të krijuarit e vetëm një njeriu. Me të vërtetë, Perëndia i dëgjon dhe i sheh të gjitha.
29; A nuk po sheh ti se Perëndia e shtie natën në ditë dhe ditën në natë (e zgjatë njërën dhe e shkurton tjetrën), dhe e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën – secili lëvizë deri në kohë të caktuar – dhe se Perëndia e di mirë çka punoni ju.
30; Kjo është (kështu), ngase Perëndia është i vetmi i Vërtetë, e ato që adhurojnë ata – pos Tij, janë të kota, dhe se Perëndia është i lartësuar dhe i madh.
31; A nuk po sheh ti, e anijet lundrojnë nëpër det me dhuntinë e Perëndisë, për t’ju treguar disa argumente të Veta? Këto janë, me të vërtetë, argumente për çdo njeri të durueshëm dhe mirënjohës.
32; E, kur ata t’i mbulojë vala – si bjeshkë, e thërrasin Perëndinë me lutje të sinqerta; e, posa t’i shpëtojë ata në tokë, një pjesë e tyre e mbajnë mesataren; e ajetet Tona i mohon vetëm mshtruesi dhe jomirënjohësi.
33; O njerëz! Druajuni Zotit tuaj dhe frikësojuni Ditës kur prindi nuk do të mund t’i ndihmojë fëmijës së vet asgjë, e as fëmija nuk do të mund t’i ndihmojë asgjë prindit të vet! Me të vërtetë, premtimi i Perëndisë është i sigurt, e, le të mos u mashtrojë jeta e kësaj bote, dhe le të mos u mashtrojë mashtruesi (djalli) në Perëndinë.
34; Me të vërtetë, vetëm Perëndia e di Çastin (Ditën e Kijametit), Ai e zbret shiun dhe di çka k në barkun e shtatzënës, e askush nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdes. Me të vërtetë, Perëndia është i Gjithëdijshëm dhe njohës i çdo gjëje.

Pages ( 31 of 114 ): « Previous1 ... 2930 31 3233 ... 114Next »